Pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Pejë, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar një raport të hollësishëm për mënyrën se si institucionet i kanë trajtuar denoncimet e saj të mëparshme, përfshirë ankesën e dorëzuar vetëm tri ditë para tragjedisë.
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka autorizuar një analizë të plotë të veprimeve institucionale lidhur me rastet e dhunës që kishte raportuar e ndjera Arlinda Zekaj.
Sipas njoftimit zyrtar, koordinatori nacional për rastet e dhunës në familje është ngarkuar të shqyrtojë të gjitha veprimet e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse dhe të identifikojë nëse ka pasur neglizhencë apo mosveprim.
Ndërkohë, nga kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar një raport i detajuar me shkrim, ku duhet të dokumentohet i gjithë historiku i rasteve të denoncuara nga viktima.
Raporti duhet të përfshijë identitetin e personave të denoncuar, prokurorët që kanë trajtuar lëndët, vendimet e marra, veprimet procedurale, vlerësimin e rrezikut dhe masat mbrojtëse të kërkuara për viktimën.
**Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet ankesës së Arlinda Zekajt, të dorëzuar më 22 tetor 2026, vetëm tri ditë para se ajo të vritej.**
Përveç shqyrtimit të punës së prokurorisë, Kryeprokurori i Shtetit i ka kërkuar edhe Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) të nisë verifikimet ndaj zyrtarëve policorë që kanë qenë të përfshirë në pranimin dhe trajtimin e denoncimeve të viktimës.
Qëllimi është të përcaktohet nëse institucionet kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe nëse janë ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e saj.
Nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit është bërë e ditur se rasti po trajtohet me urgjencë dhe se çdo shkelje e konstatuar do të pasohet me masa ligjore.
“Në rast se konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar”, thuhet në njoftim.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, veçanërisht pas informacionit se ajo kishte paraqitur ankesë vetëm pak ditë para se të humbiste jetën.
Tashmë mbetet të shihet nëse verifikimet do të zbulojnë përgjegjësi konkrete dhe nëse ndaj zyrtarëve që eventualisht kanë dështuar në përmbushjen e detyrave do të ndërmerren masa ligjore.
Publikuar:




