Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë u mbush me qindra protestues dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët u mblodhën për të kërkuar llogaridhënie pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Sylaj Zekaj në Vitomiricë të Pejës. Viktima u privua brutalisht nga jeta më 25 tetor, vetëm pak orë pasi kishte dalë nga stacioni policor ku kishte denoncuar sërish dhunën dhe kërcënimet.
Pankartat dhe thirrjet e protestuesve si “Gjumi s’ka me iu nxanë, flaka ka me iu dalë”, “Nuk ka paqe pa drejtësi” dhe “Për gratë çdo ditë është luftë” shënjestruan drejtpërdrejt zinxhirin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për neglizhencë.
Në fjalimet e mbajtura gjatë marshimit u theksua alarmi mbi pasigurinë me të cilën përballen gratë, ku disa aktiviste shprehën indinjatën ekstreme duke bërë thirrje që “gratë duhet revoltuar e të armatosen” përballë mosveprimit shtetëror.Ngjarja ka ngjallur reagim të gjerë publik pasi e ndjera kishte paralajmëruar vazhdimisht rrezikun që i kanosej.
Në letrat drejtuar Prokurorisë Themelore dhe autoriteteve lokale pak para vrasjes, ajo kishte shkruar me dëshpërim:“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës (përfshirë njësitë speciale FIT) pas dy ditësh në arrati në zonën e Deçanit.
Ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, ishte shoqëruar dhe ndaluar po ashtu pas denoncimeve të vazhdueshme për kanosje dhe konflikt pronësor/kujdestarie.Ndërkohë që viktima është përcjellë për në banesën e fundit, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokuroria kanë nisur hetime mbi veprimet e zyrtarëve përgjegjës për të zbardhur nëse ka pasur dështim të drejtpërdrejtë institucional në ofrimin e mbrojtjes për të ndjerën.
Publikuar:




