PAK HUMOR. SHUMË ZHURMË.
31.10.2026

VUÇIQ VAZHDON TË AMNISTOJË TERRORIN: “Dorëzimi i Radoiçiqit në Prishtinë do të thotë njohje e Kosovës dhe fundi i Serbisë!”

◉ 19 lexime
VUÇIQ VAZHDON TË AMNISTOJË TERRORIN: “Dorëzimi i Radoiçiqit në Prishtinë do të thotë njohje e Kosovës dhe fundi i Serbisë!”

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë sërish hapur në mbrojtje të Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe organizatorit të vetëshpallur të sulmit terrorist në Banjskë. Në një prononcim publik, Vuçiqi e ka përjashtuar prerazi çdo mundësi që Radoiçiqi t’u dorëzohet organeve të drejtësisë në Prishtinë, duke e cilësuar ekstradimin e tij si akt të njohjes zyrtare të shtetit të Kosovës.

“Vetëm ta keni parasysh se dorëzimi i Radoiçiqit apo i kujtdo tjetër në Prishtinë, në çfarëdo forme, do të nënkuptonte njohjen e shtetit të Kosovës dhe fillimin e fundit të shtetit serb. Kjo nuk do të ishte kapitullim, por njohje de jure e Kosovës. Nuk bëhet fjalë për njohje indirekte, por për njohje formale juridike”, deklaroi Vuçiq.

Ai tentoi të relativizojë akuzat e rënda terroriste duke e reduktuar hetimin në Beograd vetëm në “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, teksa u ankua se misioni i EULEX-it kishte refuzuar të ndante prova me gjykatat serbe, me arsyetimin se juridiksioni i përket ekskluzivisht autoriteteve kosovare.

Farca gjyqësore në Beograd dhe lënia e lirë e kryeterroristit
Milan Radoiçiq mbetet njeriu më i kërkuar nga drejtësia e Kosovës dhe Interpoli për sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra heroi i Kosovës, rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Ndërkohë, sistemi gjyqësor serb po përballet me kritika të ashpra për trajtimin farsë të rastit të tij. Sipas raportimeve të medias hulumtuese serbe Nova.rs, organet atje po rishqyrtojnë arsyet se pse Radoiçiqit nuk iu caktua masa e paraburgimit pas arrestimit fillestar në Beograd.

Prokurori i atëhershëm, Nikola Panteliq, kishte argumentuar kërkesën vetëm mbi bazën e "rrezikut të arratisjes" — argument që u hodh poshtë me lehtësi nga gjykata me justifikimin banal se Radoiçiqi ishte paraqitur vullnetarisht për t'u marrë në pyetje, duke i lënë duart e lira të shëtiste i qetë nëpër Serbi nën mburojën direkte të pushtetit.

#LajmiIFundit #AleksandarVucic #MilanRadoicic #Banjska #AfrimBunjaku #Kosove #Serbi #Drejtësi #QeshPakTV #Lajme

Publikuar:

Raporto një gabim

Na trego çfarë duhet korrigjuar në këtë lajm. Mesazhi shihet vetëm në panelin e redaksisë. Mos përfshi të dhëna personale.