Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e nivelit të lartë “Dialogu Strategjik për Shëndetin Mendor dhe Mbështetjen Psikosociale për fëmijët dhe adoleshentët”, të organizuar në bashkëpunim me UNICEF-in dhe Universitetin e Prishtinës.
Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit theksoi se pas kapërcimit të bllokadave politike dhe konsolidimit të institucioneve të reja shtetërore, vendi gëzon stabilitetin e nevojshëm për të zbatuar politika afatgjata që tejkalojnë dekadën aktuale.
Nga evidenca te veprimi: Fokus te fëmijët dhe adoleshentët
Takimi vjen si vazhdimësi e raportit të publikuar në gusht mbi shërbimet e shëndetit mendor për të rinjtë. Kurti kërkoi që ky takim të shënojë kalimin nga konstatimi i sfidave te ndërmarrja e hapave konkretë ndërinstitucionalë:
Sistem parandalues, jo vetëm reagues: Synimi është ngritja e një strukture ku familjet dhe fëmijët kanë qasje të hershme te ndihma profesionale, duke lidhur ngushtë arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet sociale.
Të dhëna konkrete: Raporti i UNICEF-it dhe Institutit të Psikologjisë përqendrohet në mënyrë të veçantë te grupet më vitale të shoqërisë: fëmijët dhe adoleshentët.
Bilancon masat sociale dhe shëndetësore
Kryeministri vuri në dukje politikat e zbatuara në mbështetje të familjeve, duke theksuar:
Shtesat për fëmijë dhe ndihmën e vazhdueshme financiare për lehonat;
Programet e intervenimit të hershëm për fëmijët me nevoja të veçanta;
Uljen e vdekshmërisë neonatale me 27% që nga viti 2020 dhe më shumë se dyfishimin e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm.
Stabiliteti politik dhe puna përtej vitit 2027
Në fjalën e tij, Kurti bëri të ditur se rizgjedhja e qeverisë më 13 shtator dhe zgjedhja e presidentes së re më 6 tetor i kanë dhënë fund urgjencave politike që pengonin planifikimin strategjik:
„Jemi jashtë atyre urgjencave që na pengonin. Kur vjen puna te shëndeti mendor dhe publik, nuk ka zgjidhje të menjëhershme. Duhet të përgatitemi për rezultate që nuk do t’i kemi as në vitin 2026 e as më 2027, por në vitet përtej – të mendojmë përtej dekadës aktuale.“
Në tryezë morën pjesë anëtarë të kabinetit qeveritar, përfshirë zëvendëskryeministren Donika Gërvalla-Schwarz, ministrat Arben Vitia, Hajrulla Çeku, Andin Hoti, si dhe përfaqësueset e larta të UNICEF-it, Zeinab Hijazi dhe Veronika Vashchenko.
Publikuar:




