PAK HUMOR. SHUMË ZHURMË.
13.11.2026

„Ju e shitët KEDS-in, hajde ta kthejmë në pronësi të shtetit!“

◉ 1 lexime
„Ju e shitët KEDS-in, hajde ta kthejmë në pronësi të shtetit!“

Debat i fortë në Kuvendin e Kosovës rreth çështjes së energjisë elektrike: Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka sfiduar hapur partitë opozitare që të bashkohen për ta shtetëzuar KEDS-in, ndërsa ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat se qeveria po importon rrymë nga Serbia, duke i cilësuar ato si dezinformata

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, i ka ftuar deputetët e opozitës që nëse vërtet brengosen për interesin e qytetarëve dhe sektorin energjetik, të punojnë së bashku për ta rikthyer rrjetin e distribuimit në pronësi të Republikës së Kosovës.

„Nëse e keni me kaq shqetësim interesin e qytetarëve, hajde po bëhemi të gjithë bashkë, hajde po ulemi e po punojmë të gjithë bashkë dhe po e kthejmë KEDS-in. Hajde po e shtetëzojmë KEDS-in që ju e keni shitur. Ju me e shitë KEDS-in, e ne me ja kthy vetë. Po e kthejmë në pronësi të Republikës së Kosovës. A jeni të gatshëm?“, deklaroi Kërçeli gjatë fjalimit të tij.

Sqarimet dhe kundërakuzat e Ilir Kërçelit në Kuvend:
Kush e importon rrymën: Kërçeli sqaroi se Qeveria e Kosovës nuk importon energji elektrike, pasi pjesën dërrmuese të importit për furnizim dhe mbulim të humbjeve në rrjet e kryejnë kompanitë private KESCO dhe KEDS, ku sipas tij duhet të adresohen ankesat. Ndërkohë, KEK-u blen sasi të vogla kryesisht në bursën shqiptare ALPEX, ku çmimet janë më të lira.

Përgjigjja për kompaninë serbe EFT: Deputeti i VV-së i quajti dezinformata pretendimet e opozitës për blerje të energjisë nga kompania serbe EFT, duke theksuar se gjatë qeverisjes së VV-së kjo nuk ka ndodhur asnjëherë dhe se importi deri në 99% nga EFT-ja ka ndodhur në periudhën 2008–2017 nga qeverisjet e kaluara.

Tranziti ndërkufitar dhe „Elektrosever“: Sa i përket kapaciteteve ndërkufitare, ai sqaroi se bëhet fjalë vetëm për rrugë teknike të tranzitit të rrymës përmes Kosovës nga tregtarë të huaj që paguajnë koston e shfrytëzimit. Përjashtim të vetëm në importin aktual përmendi kompaninë „Elektrosever“ në veri, e cila u soll përmes Marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar nga qeveritë e kaluara.

Mbikëqyrja e ZRRE-së: Në përmbyllje, Kërçeli kërkoi forcimin e mbikëqyrjes parlamentare ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe sfidoi opozitën të paraqesë fakte konkrete, duke garantuar transparencë të plotë me çdo dokument dhe kontratë.

#IlirKërçeli #KEDS #Energjia #KuvendiIKosovës #LVV #Opozita #ZRRE #Kosova #Politikë #Aktualitet #LajmiIFundit #Lajme

Publikuar:

Raporto një gabim

Na trego çfarë duhet korrigjuar në këtë lajm. Mesazhi shihet vetëm në panelin e redaksisë. Mos përfshi të dhëna personale.