GJERMANIA PËRGJYSMON VIZAT PËR PUNËTORËT NGA BALLKANI: KUOTA BIE NGA 50,000 NË 25,000!
Qeveria gjermane ka miratuar zyrtarisht propozimin për të përgjysmuar kuotën vjetore të punësimit për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi), duke e ulur numrin e miratimeve nga 50,000 në 25,000 në vit.
Nëse ky vendim merr dritën jeshile edhe në Bundesrat (dhomën që përfaqëson 16 landet federale gjermane), ku votimi është caktuar për më 18 dhjetor, rregullat e reja kufizuese pritet të hyjnë në fuqi nga janari i vitit 2027 – duke e vështirësuar ndjeshëm hyrjen në tregun gjerman të punës për punëtorët nga rajoni ynë.
Pse u mor ky vendim dhe pse po kundërshtohet ashpër nga ekonomia gjermane:
– Pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeveritar: Propozimi për përgjysmimin e të ashtuquajturës „Rregullore për Ballkanin Perëndimor“ ishte paralajmëruar më herët në marrëveshjen e koalicionit qeverisës mes konservatorëve (CDU/CSU) dhe socialdemokratëve (SPD), me synimin për të kufizuar migrimin e punës. Megjithatë, kjo masë nuk kalon në Bundestag, por ka nevojë vetëm për miratimin e Bundesratit më 18 dhjetor.
– Alarmi i punëdhënësve gjermanë („Do të mungojnë 9,000 punëtorë“): Shoqatat gjermane të punëdhënësve e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, duke paralajmëruar se ai do ta thellojë krizën e fuqisë punëtore, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë, i cili merr rreth 35 për qind të këtyre vizave. Drejtori i përgjithshëm i Shoqatës Kryesore të Industrisë Gjermane të Ndërtimit, Tim-Oliver Müller, paralajmëroi se kjo masë do t'i heqë sektorit rreth 9,000 punëtorë të domosdoshëm, duke kujtuar se vetëm vitin e kaluar dolën në pension rreth 17,000 punëtorë ndërtimi. Sipas tij, mjeshtrit me përvojë në konstruksione çeliku dhe betoni nuk mund të zëvendësohen me punëtorë vendas, çka do të sjellë vonesa dhe kosto më të larta në ndërtimin e banesave dhe infrastrukturës.
– „Mos e prish urën e vjetër pa ndërtuar të renë“: Edhe Shoqata Qendrore e Ndërtimtarisë Gjermane (ZDB) – ku një në shtatë të punësuar ka pasaportë të huaj – ka reaguar me kritika të forta. Drejtuesi i saj, Felix Pakleppa, u shpreh se „në ndërtimtari nuk prishet ura e vjetër pa u ndërtuar e reja“, duke theksuar se qeveria po mbyll rrugët për punëtorët nga Ballkani në një kohë kur alternativat e premtuara ende nuk janë funksionale.
#Gjermania #Vizat #BallkaniPerëndimor #Kosova #Shqipëria #MaqedoniaEVeriut #Mërgata #Ekonomia #LajmiIFundit #Lajme
Publikuar:





