KURTI I BËN THIRRJE ZELENSKYT TA NJOHË PAVARËSINË E KOSOVËS: „DO TA DEMASKONTE BLOFIN E PUTINIT – KRIMEA ËSHTË UKRAINË DHE KOSOVA ËSHTË KOSOVË!“
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se një vendim i tillë do ta rrëzonte përfundimisht propagandën e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e përdor rastin e Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë.
Në një shkrim autorial të publikuar në median prestigjioze ukrainase „Kyiv Post“, Kurti ka kritikuar qëndrimin e deritanishëm të Kievit zyrtar dhe veçanërisht deklaratën e Zelenskyt në Beograd në gusht të këtij viti, duke rikujtuar mbështetjen e pakursyer të Kosovës për Ukrainën.
Pikat kryesore nga thirrja dhe argumentet e kryeministrit Albin Kurti në „Kyiv Post“:
– Kritika për deklaratën në Beograd dhe mbështetja e Kosovës ndaj Ukrainës: Kurti vuri në pah kontrastin mes qëndrimit të Kievit dhe ndihmës konkrete që Prishtina i ka dhënë Ukrainës përballë agresionit rus. „Në gushtin e kaluar, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës, përkatësisht mosnjohja e saj, mbetet i pandryshuar. Ajo që ra në sy ishte fakti se kjo deklaratë u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë. Kosova, nga ana tjetër, e ka ruajtur edhe qëndrimin e saj ndaj Ukrainës: atë të mbështetjes. Ne e kemi dënuar agresionin e Moskës, jemi rreshtuar me sanksionet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, kemi strehuar gazetarë ukrainas dhe kemi kontribuar me ndihmë dhe trajnime ushtarake“, shkroi Kurti.
– Demaskimi i blofit të Putinit dhe dallimi mes çlirimit e pushtimit: Duke u thirrur edhe në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të vitit 2010, Kurti theksoi se pavarësia e Kosovës pasoi shtypjen, spastrimin etnik dhe ndërhyrjen e NATO-s, dhe nuk mund të barazohet kurrë me aneksimin me tanke të Krimesë. „Njohja do ta hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi se demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin… Ndryshimi i kufijve përmes tankeve të një fuqie të madhe nuk është i njëjtë me një status të arritur pas një lufte çlirimtare, administrimi ndërkombëtar dhe diplomacie. Pushtimi nuk është vetëvendosje. Aneksimi nuk është pavarësi“, argumentoi kryeministri.
– „Jo si favor, por për të mbrojtur rendin ndërkombëtar“: Në përmbyllje të shkrimit, Kurti u shpreh se të dyja vendet synojnë anëtarësimin në BE dhe NATO, ndaj njohja e Kosovës i shërben vetë sigurisë globale. „Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur… Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë“, përfundoi Kurti.
#AlbinKurti #VolodymyrZelensky #Kosova #Ukraina #KyivPost #Politikë #Bota #Aktualitet #LajmiIFundit #Lajme
Publikuar:





