PAK HUMOR. SHUMË ZHURMË.
21.11.2026

Afera 53 mln € e qeverisë Haradinaj: Detajet e aktgjykimit!

◉ 180 lexime
Afera 53 mln € e qeverisë Haradinaj: Detajet e aktgjykimit!

ZBARDHET AKTGJYKIMI PËR AFERËN E 53 MILIONË EUROVE TË QEVERISË HARADINAJ: JA PSE GJYKATA E DËNOI PAL LEKAJN ME 3 VJET E 8 MUAJ BURG!

Gjykata Themelore ka publikuar aktgjykimin e plotë për njërin prej skandaleve më të mëdha korruptive në vend — aferën e zhvatjes së 53 milionë eurove nga buxheti i shtetit për autostradën „Arbën Xhaferi“, në kohën kur vendi drejtohej nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe Ministria e Infrastrukturës udhëhiqej nga bashkëpartiaku i tij në AAK, Pal Lekaj.

Sipas dokumentit të Gjykatës, pozita e lartë zyrtare si ministër, niveli i arsimimit dhe përgatitja profesionale janë listuar si rrethana rënduese ndaj Lekajt, i cili edhe në rigjykim u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Çfarë zbulon aktgjykimi i plotë i Gjykatës dhe dënimet për të akuzuarit e tjerë:

– Injoroi kompaninë mbikëqyrëse duke i shkaktuar buxhetit dëm mbi 53 milionë euro: Gjykata konstaton se Lekaj me vetëdije nënshkroi marrëveshjen në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe kontratën bazë. „Gjykata e ka vlerësuar si rrethanë rënduese edhe faktin se i pandehuri e ka injoruar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse ‘Hill International’, sipas të cilit shuma e lejuar për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve ishte 14,778,654.87 euro, ndërsa ka ndërmarrë veprime që kanë mundësuar pranimin e kërkesës së operatorit ekonomik ‘Bechtel & Enka’ në shumën prej 53,100,000.00 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës“, thuhet në aktgjykim.

– Dënimet për bashkëpunëtorët dhe ndalimi i funksioneve publike: Krahas Pal Lekajt (3 vjet e 8 muaj burg), Gjykata ka dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim ish-këshilltarin e tij politik, Eset Berisha, për pjesëmarrje në negociata dhe ndërhyrje për ndryshimin e opinionit ligjor. Ndërkaq, ish-sekretari i Përgjithshëm, Nebih Shatri, dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik, Besim Tahiri, janë dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burgim secili. Të katërve u është ndaluar po ashtu ushtrimi i funksioneve në administratën publike pas mbajtjes së dënimit.

– Konteksti i aferës së qeverisë së AAK-së: Kujtojmë se në vitin 2018, qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj pati ndarë 53 milionë euro shtesë nga taksat e qytetarëve për konsorciumin „Bechtel & Enka“, në kuadër të ndërtimit të autostradës 55-kilometërshe Prishtinë – Hani i Elezit, e cila i kushtoi buxhetit të Kosovës plot 600 milionë euro.

#PalLekaj #AAK #RamushHaradinaj #Korrupsioni #Drejtësi #Kosova #Politikë #Aktualitet #LajmiIFundit #Lajme

Publikuar:

Raporto një gabim

Na trego çfarë duhet korrigjuar në këtë lajm. Mesazhi shihet vetëm në panelin e redaksisë. Mos përfshi të dhëna personale.