Një audioincizim i rëndë i bërë publik nga avokati Besnik Berisha nxjerr në dritë bisedën e fundit mes të ndjerës Arlinda Zekaj dhe një zyrtari policor, pak para vrasjes së saj makabre. Regjistrimi zbulon neglizhencën tronditëse institucionale dhe mënyrën se si e ndjera u udhëzua të kthehej pikërisht në vendin ku e priste rreziku.
Në vend që t'i ofrohej mbrojtje apo strehim i sigurt, polici dëgjohet teksa i kërkon të kthehet në shtëpi, madje duke ia konfirmuar qartazi se personat nga të cilët ajo frikësohej do të ishin brenda saj.
“Ky është si me thanë një gjysëm-rast”
Gjatë telefonatës, Arlinda kërkonte me dëshpërim të kuptonte se çfarë po ndodhte me denoncimin e saj dhe çfarë masash kishte ndërmarrë Prokuroria:
Përçmimi i rrezikut: Polici i shpjegon se prokurorja kujdestare e kishte trajtuar çështjen vetëm si shënim zyrtar dhe jo si rast emergjent:
“Për momentin nuk është rast. Por, është shënim zyrtar, ky është si me thanë një gjysëm-rast. Duhet me u verifiku kamerat e sigurisë nesër,” dëgjohet t'i thotë zyrtari policor viktimës.
Dialogu makabër: “Kanë mu kanë, kanë mu kanë!”
Kulmi i bisedës dhe momenti më tronditës pason kur Arlinda pyet në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse duhej të kthehej në banesë dhe nëse rreziku ishte larguar:
Arlinda: “Unë a duhet mu kthy në shpi, çka thotë prokurorja?”
Polici: “Po, po normal.”
Arlinda: “Okej, ata s’kanë mu kanë aty, a po?”
Polici: “Kanë mu kanë, kanë mu kanë!”
Ndonëse polici e pranon hapur se personat e dyshuar gjendeshin aty, ai përsëri nuk merr asnjë masë për ta ndaluar kthimin e saj në banesë apo për t'i siguruar asistencë nga patrulla policore, veprim ky që rezultoi fatal për jetën e saj.
Publikuar:




