Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut ka arritur shifrën prej 10,73 miliardë eurosh, duke u ngjitur në 58,8 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Me vetëm 1,2 pikë përqindëshe larg tavanit kritik ligjor prej 60 përqind, politika e vazhdueshme e huamarrjes po ngre shqetësime serioze mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të financave të shtetit.
Pavarësisht kësaj gjendjeje, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, deklaron se borxhi publik do të mbetet nën kufirin e 60 përqindëshit deri në fund të vitit 2026 dhe gjatë vitit 2027. Ky parashikim optimist mbështetet mbi pritshmëritë e ekzekutivit për një rritje ekonomike prej 3,8 përqind dhe një inflacion prej 3,2 përqind për vitin e ardhshëm.
Deficiti i ri prej 732 milionë eurosh thellon varësinë nga kreditë
Dyshimet e ekspertëve thellohen nga shifrat e propozim-buxhetit për vitin 2027:
Të ardhurat e planifikuara: 395,4 miliardë denarë.
Shpenzimet e projektuara: 440,4 miliardë denarë.
Gropa buxhetore (Deficiti): 45 miliardë denarë (rreth 732 milionë euro), shumë e cila do të duhet të mbulohet pothuajse tërësisht përmes kredive dhe huave të reja.
Përveç mbulimit të diferencës mes shpenzimeve dhe të hyrave, arkës së shtetit i duhet të sigurojë fonde të konsiderueshme edhe për shlyerjen e kësteve dhe normave të larta të interesit për borxhet e vjetra, duke rritur ndjeshëm ekspozimin ndaj goditjeve në tregjet financiare ndërkombëtare.
A po shkojnë paratë e huazuara për zhvillim apo për konsum?
Ekonomistët e institutit Finance Think paralajmërojnë se konsolidimi fiskal po ecën me ritme të ngadalta dhe deficiti po tejkalon kufijtë e premtuar. Shqetësimi kryesor lidhet me faktin se kreditë e reja po merren në një kohë kur realizimi i investimeve kapitale po shënon ngecje të dukshme. Kjo situatë dëshmon se huatë nuk po shndërrohen në projekte infrastrukturore që gjenerojnë zhvillim, por po shfrytëzohen për të mbyllur nevojat e përditshme administrative e buxhetore.
Nëse rritja e synuar prej 3,8 përqind nuk realizohet plotësisht, hapësira minimale për ta mbajtur borxhin nën kufirin prej 60 përqind rrezikon të avullojë tërësisht, duke lënë barrën e pagesave mbi xhepat e qytetarëve.
#LajmiIFundit #MaqedoniaEVeriut #BorxhiPublik #Ekonomi #Buxheti2027 #Financat #KrizeEkonomike #QeshPakTV #Lajme
Publikuar:




