PAK HUMOR. SHUMË ZHURMË.
23.11.2026

Dorëzon uniformën pas 7 vitesh: Letra prekëse e policit!

◉ 43 lexime
Dorëzon uniformën pas 7 vitesh: Letra prekëse e policit!

„MIRË U PAFSHIM KOSOVA IME E DASHUR!“ – DJALI I ISH-ZËVENDËSKOMANDANTIT TË PEJËS DORËZON UNIFORMËN PAS 7 VITESH SHËRBIM!

Një tjetër zyrtar policor ka vendosur të heqë uniformën e Policisë së Kosovës. Erlind Xhevat Ibra ka paraqitur dorëheqjen e tij pas shtatë vitesh shërbim dhe angazhim në këtë institucion të sigurisë.

Ai është djali i Xhevat Ibrës, ish-zëvendëskomandantit dhe ish-zëdhënësit të njohur për informim në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.

Çfarë shkruan Erlind Ibra në letrën e dorëheqjes dhe arsyet e largimit:

– Arsye familjare, por edhe zhgënjim nga mungesa e vlerësimit: Në letrën drejtuar institucionit, Ibra bën të ditur se krahas rrethanave personale e familjare, vendimi është nxitur nga mungesa e vlerësimit dhe sjelljet zhvlerësuese ndaj punës së tij: „Përveç arsyeve personale dhe familjare, një ndër faktorët që kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi është edhe ndjenja e mungesës së vlerësimit të kontributit dhe përkushtimit tim ndër vite. Fatkeqësisht, në disa raste jam ndier i pavlerësuar dhe i zhgënjyer nga mënyra se si është trajtuar angazhimi im profesional“, shkruan ai, duke shtuar se është përballur me individë që janë përpjekur ta ulin profesionalisht.

– Mesazhi lamtumirës për kolegët dhe Kosovën: Pavarësisht pakënaqësive, ai vlerëson shtatë vitet e shërbimit si një përvojë të çmuar dhe falënderon kolegët, familjarët dhe qytetarët që e mbështetën gjatë karrierës, duke e mbyllur letrën me mesazhin emocionues: „Ju uroj gjitha të mirat dhe suksese Policisë së Kosovës! Mirë u pafshim Kosova ime e dashur!“.

Letra e plotë e dorëheqjes së Erlind Xhevat Ibrës:

„Të nderuar,

Përmes kësaj shkrese dëshiroj të paraqes dorëheqjen time nga detyra zyrtare në Policinë e Kosovës, pas një periudhe shtatëvjeçare të shërbimit dhe angazhimit tim në këtë institucion.

Ky vendim nuk është marrë lehtë, pasi gjatë këtyre viteve kam investuar kohë, përkushtim dhe energji në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të mia. Megjithatë, për shkak të rrethanave personale dhe familjare, si dhe ndryshimeve në prioritetet e mia jetësore, kam ardhur në përfundim se largimi nga detyra është vendimi më i përshtatshëm për mua në këtë fazë të jetës.

Përveç arsyeve personale dhe familjare, një ndër faktorët që kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi është edhe ndjenja e mungesës së vlerësimit të kontributit dhe përkushtimit tim ndër vite. Fatkeqësisht, në disa raste jam ndier i pavlerësuar dhe i zhgënjyer nga mënyra se si është trajtuar angazhimi im profesional. Më ka shqetësuar veçanërisht fakti që, në vend të mbështetjes dhe vlerësimit për punën e bërë, jam përballur me situata dhe sjellje nga persona të caktuar, të cilat më kanë krijuar ndjenjën se janë përpjekur të më ulin profesionalisht dhe të zhvlerësojnë kontributin tim.

Besoj se çdo punonjës që shërben me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim meriton respekt, dinjitet dhe vlerësim për punën e tij. Për mua, dinjiteti profesional dhe respekti i ndërsjellë kanë qenë gjithmonë parime të rëndësishme.

Dua të theksoj se këto shtatë vite shërbimi do të mbeten pjesë e rëndësishme e përvojës sime jetësore dhe profesionale. Largohem me bindjen se kam dhënë kontributin tim, por edhe me keqardhjen që jo gjithmonë përkushtimi dhe puna e bërë janë vlerësuar ashtu siç e kanë merituar.

Andaj, në fund do t‘i falënderoj të gjithë ata kolegë, familjarë e qytetarë që më mundësuan dhe më mbështetën gjatë këtij rrugëtimi në karrierën policore.

Ju falënderoj për mundësinë që më është dhënë të jem pjesë e këtij institucioni dhe kërkoj që dorëheqja ime të procedohet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Ju uroj gjitha të mirat dhe suksese Policisë së Kosovës!

Mirë u pafshim Kosova ime e dashur!

Me respekt,
Erlind Xhevat Ibra“

#PoliciaEKosovës #Peja #Kosova #Dorëheqje #Aktualitet #LajmiIFundit #Lajme

Publikuar:

Raporto një gabim

Na trego çfarë duhet korrigjuar në këtë lajm. Mesazhi shihet vetëm në panelin e redaksisë. Mos përfshi të dhëna personale.