Një përplasje e paprecedentë institucionale dhe politike ka shpërthyer në Poloni, duke e çuar shtetin në një krizë të thellë rreth kontrollit të sistemit gjyqësor. Ndërhyrja e forcave policore në ambientet e Gjykatës Kushtetuese dhe pezullimi i drejtuesit të saj kanë nxitur akuza të rënda për goditje policore dhe përpjekje për “grusht shteti”.
Kjo situatë e jashtëzakonshme detyroi avionin e Presidentit polak, Karol Nawrocki, të ndërpresë fluturimin në mes të rrugës drejt Senegalit, të bëjë një kthesë 180 gradë në ajër dhe të kthehet me nxitim drejt Varshavës.
“Në një moment si ky, presidenti duhet të jetë në Poloni. Po e ndërpres udhëtimin tim në Senegal. Po kthehem”, ka deklaruar kreu i shtetit përmes një njoftimi në platformën X.
Përballja e ashpër Tusk – Presidencë
Përplasja reflekton luftën e ashpër për pushtet midis qeverisë pro-evropiane të Kryeministrit Donald Tusk dhe krahut konservator presidencial, i lidhur ngushtë me ish-pushtetin e partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Kryeministri Donald Tusk mbrojti ndërhyrjen e shtetit duke e cilësuar si një domosdoshmëri për çmontimin e kapjes së drejtësisë:
“Rivendosja e sundimit të ligjit është detyra jonë. Pas viteve të anarkisë nën udhëheqjen e PiS, ky proces është i vështirë, ndonjëherë i dhimbshëm dhe kërkon veprim vendimtar. Nuk ka rrugë tjetër”, theksoi Tusk.
Pse ndërhyri policia?
Sipas deklaratave zyrtare të autoriteteve policore, forcat e rendit hynë brenda ambienteve të gjykatës pas tensioneve dhe përshkallëzimit të incidenteve jashtë saj, ku persona të pranishëm hodhën sende të rrezikshme në drejtim të uniformave blu.
Kjo përballje e hapur mes ekzekutivit dhe hallkave më të larta të drejtësisë ngre pikëpyetje thelbësore mbi stabilitetin kushtetues të vendit dhe legjitimitetin e institucioneve demokratike në zemër të Evropës.
#LajmiIFundit #Poloni #DonaldTusk #KarolNawrocki #Varshave #GjykataKushtetuese #KrizePolitike #Europe #QeshPakTV #Lajme #Bote
Publikuar:




