Vrasja e Arlinda Zekajt: Kurti kërkon raport të detajuar brenda 34 orësh dhe flet për “zinxhir sistemor lëshimesh”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër gjatë mbledhjes së Qeverisë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet duke paralajmëruar rrezikun që i kanosej. Kurti deklaroi se nga të dhënat fillestare vërehet qartë një dështim institucional në mbrojtjen e viktimës.
“Qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet të cilat janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë,” u shpreh kryeministri, duke e cilësuar të gjithë situatën si “të pafalshme”.
Për të zbardhur përgjegjësitë, Kurti bëri të ditur se Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme u ka caktuar një afat të prerë prej 34 orësh për dorëzimin e një raporti të plotë.
“Ministrat kanë afat edhe 34 orë që të më dërgojnë një raport të detajuar me evidencat dhe lëshimet në secilën hallkë të institucioneve. Nesër mbrëma para orës 18:00 i pres raportet,” theksoi Kurti.
Pas ngjarjes tragjike, Ministria e Drejtësisë kishte thirrur një takim urgjent me mekanizmat e sigurisë dhe drejtësisë në nivel qendror dhe lokal. Duke kritikuar funksionimin e sistemit aktual, kryeministri nënvizoi se në Kosovë drejtësia shpeshherë nuk ka mbrojtur palën e pambrojtur, por ka anuar nga më i forti.
Publikuar:




