Pas ngjarjes tragjike të 25 tetorit 2026, kur u vra Arlinda Zekaj, Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare ka realizuar një inspektim të jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë, duke evidentuar mangësi administrative, organizative dhe procedurale – përmes një sqarimi zyrtar të publikuar nga Komuna e Pejës, QPS-ja ka renditur veprimet e ndërmarra për fëmijën e përfshirë dhe ka premtuar zbatimin e plotë të rekomandimeve
Në reagimin e saj publik, QPS Pejë thekson se krahas evidentimit të intervenimeve profesionale gjatë trajtimit të rastit, raporti i Inspektoratit ka nxjerrë në pah disa aspekte të funksionimit të brendshëm që kërkojnë ndërhyrje dhe përmirësim urgjent.
Çfarë mangësish ka evidentuar Inspektorati në QPS Pejë:
Vonesat në gjykata dhe dokumentimi: Raporti ka gjetur mangësi në plotësimin dhe përdorimin e formularëve standardë për menaxhimin dhe dokumentimin e rasteve, si dhe në respektimin e afateve për dorëzimin e raporteve dhe dokumentacionit në institucionet gjyqësore.
Dobësitë në mbikëqyrje: Është kërkuar përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të rasteve.
Mungesa e kapaciteteve dhe ndarja e kompetencave: Inspektimi ka evidentuar nevojën për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe njerëzore në raport me numrin e rasteve dhe territorin që mbulon QPS Pejë, si dhe qartësimin e kompetencave mes QPS-së dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale.
Si i arsyeton veprimet e saj QPS-ja në Pejë:
Në anën tjetër, institucioni ka numëruar hapat që thotë se i ka ndjekur para dhe pas ngjarjes tragjike:
Intervenimi dhe vlerësimet: QPS-ja thotë se ka reaguar pas kërkesës së Policisë në Pejë përmes kujdestarisë 24-orëshe, ka kryer vizita në terren, ka biseduar me fëmijën e familjarët dhe ka siguruar raporte nga shkolla „The Cambridge School“ dhe Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë.
Procedurat gjyqësore: Sipas sqarimit, punonjësit socialë kanë marrë pjesë në seancat pranë Gjykatës Themelore në Pejë, ku kanë dorëzuar vlerësimet e Organit të Kujdestarisë dhe kanë propozuar mbështetje e përgatitje graduale psikologjike për fëmijën.
Mbrojtja pas 25 tetorit: Pas vrasjes së 25 tetorit, kur fëmija mbeti pa përkujdesje prindërore, QPS-ja bën të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë ka siguruar vendosjen e tij në një mjedis të sigurt (strehimore) dhe caktimin e kujdestarit ligjor, duke vazhduar përcjelljen e gjendjes së tij emocionale e shëndetësore.
Në përmbyllje, Qendra për Punë Sociale në Pejë ka deklaruar se i merr me seriozitet të gjitha rekomandimet e Inspektoratit dhe kërkon që puna e saj të vlerësohet në mënyrë objektive, duke marrë parasysh si veprimet e dokumentuara, ashtu edhe fushat që kërkojnë përmirësim.
#Pejë #ArlindaZekaj #QPS #Inspektorati #Drejtësia #MbrojtjaEFëmijëve #Kosova #Aktualitet #LajmiIFundit #Lajme
Publikuar:





