Çmime marramendëse dhe dyshime për shkelje ligjore në kryeqytet: Komuna e Prishtinës e drejtuar nga Përparim Rama nënshkruan kontratë afro 20-milionëshe me kompaninë „Salillari“, ku vetëm një rrënjë livandë paguhet deri në 215 euro dhe zbulohen gabime aritmetike mbi 1.2 milionë euro
Projektimi dhe punimet për ndërtimin e sheshit „Xhorxh Bush“ në Prishtinë janë vënë në qendër të kritikave pas zbardhjes së detajeve nga paramasa dhe parallogaria e kontratës gjigante të nënshkruar nga komuna e Përparim Ramës me kompaninë „Salillari“. Vetëm për gjelbërimin e kësaj hapësire janë paraparë rreth 888 mijë euro, ndonëse përllogaritjet sipas çmimeve reale të tregut tregojnë një kosto prej rreth 167 mijë eurosh.
Rasti më flagrant evidentohet te bimët dekorative. Për shkurren e zakonshme të livandës (Lavandula angustifolia ‘Hidcote’), komuna ka pranuar çmime të luhatshme brenda të njëjtit dokument: në një faqe dy copë janë llogaritur me nga 80 euro, ndërsa në pozicione të tjera (ku kërkohen sasi më të mëdha, deri në 138 copë) çmimi për njësi kërcehet në 180 deri në 215 euro për copë, duke kapur një vlerë totale prej mbi 49 mijë eurosh vetëm për këtë bimë. E njëjta skemë pasqyrohet edhe te shkurrja dekorative Sedum, me çmime që variojnë nga 80 në 175 dhe 180 euro për njësi, me një faturë të përgjithshme prej 41 mijë e 710 eurosh.
Përveç çmimeve shumëfish më të larta se në treg, vetë tenderi rezulton të jetë nënshkruar në kundërshtim me rregulloret e prokurimit publik. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar se oferta fituese përmbante gabime të rënda aritmetike që arrinin në 7.04% të vlerës së përgjithshme – rreth 3.5 herë më shumë se pragu i lejuar ligjor prej 2%. Dy pozicione kyçe infrastrukturore (punët e strukturës së Katedrales me vlerë 1.17 milionë euro dhe punët e fontanës me mbi 103 mijë euro) nuk ishin përfshirë në nëntotale, duke e çuar vlerën reale të ofertës nga 18.16 milionë në 19.44 milionë euro, një diferencë prej 1,279,459 eurosh më shumë.
Faktet kryesore të dosjes së tenderit:
Çmimet e fryra të gjelbërimit: Për vetëm dy lloje shkurresh dekorative (Lavandula dhe Sedum) janë planifikuar mbi 91 mijë euro, ku sa më e madhe sasia e kontraktuar, aq më i lartë rezulton çmimi për njësi (deri në 215 euro për një rrënjë).
Tejkaluar pragu ligjor i gabimeve: Neni 59 i Ligjit për Prokurimin Publik dhe Rregullorja 001/2022 ndalojnë korrigjimin e gabimeve aritmetike mbi 2% dhe kërkojnë eliminimin e menjëhershëm të operatorit ekonomik. Në këtë rast, devijimi prej 7.04% u injorua tërësisht nga komisioni vlerësues.
Alarmi i Zyrës Kombëtare të Auditimit: ZKA thekson se kontrata u lidh mbi një vlerë të pasaktë dhe pa kontrolle efektive të ofertës, duke dëmtuar rëndë buxhetin publik dhe duke cenuar parimin e trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.
#Prishtinë #PërparimRama #Salillari #SheshiXhorxhBush #Skandal #ProkurimiPublik #ZKA #Tenderë #BuxhetiIKomunës #Aktualitet #LajmiIFundit #Lajme
Publikuar:




