Pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur gjatë ditës së sotme një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi përmes rrjeteve sociale se kërkesa kryesore e kësaj seance do të jetë formimi i një komisioni hetimor parlamentar. Ky komision do të ketë si detyrë zbardhjen e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve, si dhe analizimin e të gjithë zinxhirit të përgjegjësisë.
Nagavci theksoi se viktima kishte alarmuar institucionet për rrezikun që i kanosej vetëm tri ditë para ngjarjes, por pavarësisht thirrjes për mbrojtje, ajo përfundoi e vrarë.
Ajo e cilësoi këtë ngjarje si një tragjedi që kërkon llogaridhënie të plotë. “Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Përgjegjësia matet me aftësinë për ta parandaluar dhunën dhe për të reaguar me kohë,” shkroi Nagavci, duke bërë thirrje që askush të mos i shmanget përgjegjësisë ligjore dhe institucionale.
Publikuar:




