PAK HUMOR. SHUMË ZHURMË.
04.11.2026

ALARM NGA BRUKSELI: ÇFARË PO NDODH ME GJYQËSORIN DHE MEDIAT NË MAQEDONI?

◉ 8 lexime
ALARM NGA BRUKSELI: ÇFARË PO NDODH ME GJYQËSORIN DHE MEDIAT NË MAQEDONI?

Një "dush i ftohtë" vjen nga Komisioni Evropian përmes raportit më të fundit, i cili ngre alarmin për një situatë dramatike: kërcënime të hapura nga pushteti për të “spastruar” drejtësinë dhe një valë të paprecedentë sulmesh e padish ndaj gazetarëve.

Drejtësia nën ethe: Sulme, frikësime dhe arka e zbrazur
Sipas raportit të KE-së, sistemi gjyqësor ndodhet nën një presion të vazhdueshëm politik:

Kërcënime me “spastrime”: Deklaratat e ashpra të zyrtarëve të lartë dhe sulmet e drejtpërdrejta personale ndaj gjyqtarëve vlerësohen si ndërhyrje e papranueshme. Përplasja arriti kulmin kur Gjykata Supreme, Këshilli Gjyqësor dhe Shoqata e Gjyqtarëve u detyruan të dilnin në një front të përbashkët kundër pushtetit — një reagim që Brukseli e quan një akt historik e të paprecedentë për mbrojtjen e shtetit të së drejtës.

Gjykatat pa para dhe pa kuadro: Buxheti aktual prej vetëm 0.29% të PBB-së (shumë larg kufirit ligjor prej 0.8%) ka shkaktuar kaos. Për shkak të mungesës së fondeve për vitin 2026, është anuluar pranimi i 130 kandidatëve në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Pasojat janë alarmante: vendi nuk do të ketë kuadro të reja të paktën deri në vitin 2028, ndonëse aktualisht mungojnë plot 221 gjyqtarë dhe 67 prokurorë.

Mediat në shënjestër: Trefishohen paditë, digjen prona dhe hyhet me forcë në redaksi
Gjendja e lirisë së medias ka marrë "notë zero" për progres:

Eksplozion i padive: Gjatë vitit 2025 numri i padive për shpifje e fyerje ndaj gazetarëve kërceu në 40 raste, krahasuar me vetëm 15 një vit më parë.

Dhuna fizike dhe presioni: Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka evidentuar ngjarje tronditëse, si djegia e pronës së një gazetari, bastisje me forcë në redaksi dhe ngacmime masive të organizuara në internet kundër gazetareve.

Paratë e qeverisë në media: Brukseli ka kritikuar ashpër rikthimin e fushatave të paguara shtetërore në televizionet e mediat private, duke e parë si një mjet të kamufluar për të blerë heshtjen dhe kontrolluar linjat editoriale.

Korrupsioni i lartë mbetet i paprekur
Edhe në fushën e luftës kundër korrupsionit bilanci është zero: ndryshimet ligjore të janarit 2026 nuk arritën të riparonin dëmet e bëra me zbutjen e Kodit Penal në vitin 2023. Hetimet dhe dosjet e korrupsionit të nivelit të lartë po shkojnë me shpejtësi drejt parashkrimit dhe vjetrimit, ndërkohë që konfiskimi i pasurive të dyshimta mbetet krejtësisht i bllokuar.

Publikuar:

Raporto një gabim

Na trego çfarë duhet korrigjuar në këtë lajm. Mesazhi shihet vetëm në panelin e redaksisë. Mos përfshi të dhëna personale.