Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për formimin e Komitetit Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për ushtrimin e profesionit të lirë dhe të pavarur mediatik.
Vendimin e bëri të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, e cila theksoi domosdoshmërinë e mbrojtjes së punonjësve të medias nga sulmet, kërcënimet dhe presionet e vazhdueshme.
Sipas saj, ky mekanizëm i ri do të angazhohet drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë fizike dhe ligjore të gazetarëve, përmirësimin e efikasitetit në hetimin e sulmeve ndaj tyre dhe luftimin e dukurisë së mosndëshkimit. Një fokus i posaçëm do t’i kushtohet luftimit të dhunës digjitale dhe padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), të cilat shpesh shfrytëzohen për të frikësuar dhe heshtur zërat kritikë.
Në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, Komiteti do të hartojë Planin Nacional të Veprimit për periudhën 2027–2029.
“Gazetarët duhet të kenë lirinë të bëjnë pyetje, të hulumtojnë dhe të kritikojnë pa frikë dhe pa presion. Sepse mbrojtja e gazetarëve është mbrojtje e së vërtetës, transparencës dhe demokracisë”, deklaroi zëdhënësja Azizi.
Publikuar:




